Ballina / Interaktiv / Diskurse / Alfred Adler, një nga tre etërit e mëdhenj të psikoterapisë

Alfred Adler, një nga tre etërit e mëdhenj të psikoterapisë


ALFRED ADLER KA LINDUR në Vjenë në vitin 1870  dhe shpesh vepra e tij lidhet me kolegët dhe bashkëkohësit Sigmund Freud e Carl Gustav Jung, të quajtur si tre etrit e mdhenj të psikoterapisë. Që në moshë 5 vjeç ai vendos të bëhet mjek, në mënyrë që t'i shpëtonte "vdekjes". Ishte fëmija i dytë i një tregtari drithrash hebre.  Në fëmijëri vuajti nga rakitizmi dhe nga spazma e glotisit. Kur Adler ishte 3 vjeç, pranë krevatit te tij i vdiq nga difteria vëllai më i vogël. Një vit më vonë kaloi një pneumoni mjaft të rëndë. Që i vogël kishte një dëshirë të fuqishme që t'i bënte njerëzit sa më të shëndetshëm. Studioi për mjeksi në Universitetin e Vjenes dhe fillimisht u bë një specialist për sytë, e pastaj një mjek i përgjithshëm. Ai nuk preferonte ta trajtonte simptomën të izoluar, por përpiqej të kuptonte në tërësi personalitetin e pacientëve dhe të merrte në konsideratë ambjentin e tyre shoqëror, si dhe mënyrën se si ata reagojnë ndaj tij.Veprat e tij më të hershme ishin "Libri i shëndetit për profesionin e Rrobaqepsit". "Studimi i Inferioritetit te organeve dhe konpensimi psikik i tij", po shumë shpejt ai e ndjeu veten  të përfshirë në fushën e neurologjisë dhe psikiatrisë, ku aftësia e tij për të kuptuar personalitetin si të tërë në një mënyrë praktike, u shfaq e paçmueshme.Në vitin 1902 Freud e fton Adlerin të bashkohet me rrethin e tij të diskutimeve javore. Ngaqë ishte i interesuar në punen e Freud-it (Freud në këtë kohë ishte 14 vjeç më i madh dhe mjaft i njohur) ai u bashkua me rrethin psikoanalitik, megjithëse që në fillim hapur nuk pajtohej me disa nga teoritë e Freud-it, ndaj sot mendohet se Adler nuk ka qenë kurrë nxenës i Freud-it; në të vërtetë ai ishte mjaft i vlerësuar nga Freud-i dhe ishte një kontribues i denjë i rrethit, po aq mirë sa edhe botues i Revistës Psikoanalitike.Për këtë arsye u emërua menjëherë pasues i Freud-it si President i Shoqërisë Psikoanalitike të Vjenës. Megjithatë ndryshimet e tyre teorike u zmadhuan dhe së bashku me gjashtë të tjerë ai u largua nga rrethi në vitin 1911, në një kohë kur Frojdi këmbëngulte që çdonjëri të pranonte teoritë e tij seksuale. Adleri kundërshtoi 'pranimin e doktrinës së impulsive seksuale në individin neurotik ose normal, si faktor themelor në jetën psikike. Ato nuk janë kurrë shkaqe, por material i ndërlikuar dhe një mjet për përpjekjen personale'.Pas kësaj Adler dhe kolegët e tij e quajtën këtë shkolle të re Shoqëria për Psikologjinë Individuale. Fjala individuale është përdorur për të theksuar qenien unike dhe të  pandashme të personalitetit. Fill në vitet e mëpasme të dorëheqjes së tij, ai publikoi "Formimi Neurotik".Gjatë luftës së parë botërore Adler shërbeu si mjek ushtarak në pavionin neuro-psikiatrik të spitalit ushtarak. Këtu ai u bë më i vetedijshem për kontributin që ndiente se duhet të përhapte idetë praktike që i konsideronte kaq vitale për qeniet njerëzore. Pas shërbimit në luftë, entuziazmi për të zhvilluar idenë e interesit shoqëror dhe për ta zhvilluar atë në komunitet u rrit. Adler e bazoi psikologjinë e tij mbi konceptin qendror të Gemeinschaftsgefühl (në gjermanisht). Është një koncept i vështirë për tu përkthyr në mënyrë adekuate dhe shpesh përdoret në shprehjet interesi shoqëror, ndjenja shoqërore, ndjenja e komunitetit apo gjykimi shoqëror. Më i preferueshëm është termi i ndjenjës së komunitetit si një koncept shumë nivelësh. Përfundimisht ai zhvilloi më shumë se 30 klinika të trajtimit të fëmijëve në Vienë. I demonstroi teknikat e tij në grupe të mëdha profesionesh dhe u mësoi njerëzve ide që nuk kishin qenë përdorur kurrë më parë. Si shume hebrej të gjeneratës së tij, duhej te linte Europën dhe në 1935 u vendos në SHBA, ku tashmë ishte mjaft i njohur. Një vend drejtues në Psikologjisë Mjeksore tashmë ishte krijuar për të në Kolegjin Long Island të Mjeksisë.Adler vazhdoi të jepte leksione dhe të trajtonte klientë në Amerikë dhe në shumë vende Europiane. Në moshën 67 vjeçare kishte përgatitur, në një program rraskapitës, dhënien e 56-leksione, në katër vende të ndryshme brenda një muaji. E kishte përfunduar punën në Paris, Bruksel dhe Hollandë e një leksion e kishte dhënë edhe për studentët e Universitetit të Aberdeen-it kur në 28 Maj 1937 vdiq nga një atak kardiak, teksa po shkonte në Universitet.Ndër veprat mër veprat më famshme mund të përmendim "Ç'kuptim mund të ketë jeta", "Kuptimi i natyrës njerëzore", "Psikologjia Individuale". 


 

NDJENJA E INFERIORITETIT DHE SUPERIORITETITNga: Alfred ADLERKompleksi i inferioritetit"Kompleksi i inferioritetit" është një nga zbulimet më të rëndësishme të Psikologjisë Individuale, që ka b&eum
l;rë famë botërore. Psikologët, nga shumë shkolla të ndryshme ose degë të shkencës, e kanë pranuar termin dhe përdorur atë në praktikën e tyre. Megjithatë, nuk jam shumë i sigurt, nëse e kuptojnë plotësisht atë ose e përdorin në mënyrën e drejtë. P.sh., nuk është aspak e dobishme t'u thuash pacientëve se janë duke vuajtur nga një kompleks inferioriteti. Të veprosh kështu, nuk bën asgjë veçse thekson ndjenjat e tyre të inferioritetit pa u treguar se si t`i mposhtin ato. Duhet të njohim sensin e pamjaftueshmërisë që bën të njohur stilin e jetës së tyre dhe t`i inkurajojmë ata në shumë pika ku u dështon kurajoja.
Të gjithë njerëzit neurotikë kanë një kompleks inferioriteti. Ata përcaktohen nga lloji i situatës, në të cilën ndjehen të paaftë për të jetuar një jetë të dobishme, si dhe nga kufizimet që kanë vendosur në përpjekjet dhe veprimtaritë e tyre. Duke i dhënë problemit të tyre një emër, nuk është e thënë se i ndihmojmë sadopak ata. Nuk mund t'u japim kurajo, duke u thënë "Ju jeni duke vuajtur nga një kompleks inferioriteti", më shumë se sa ç'mund të ndihmojmë dikë me dhimbje koke duke i thënë "Unë mund t'ju tregoj se çfarë nuk shkon me ju. Keni dhimbje koke!" Nëse shumë njerëz neurotikë do të pyeteshin nëse ndiheshin inferiorë, sigurisht që do të përgjigjeshin "Jo". Madje, disa do të përgjigjen "Përkundrazi. Unë ndjehem superior ndaj njerëzve përreth". Nuk duhet të pyesim, por duhet vetëm të vrojtojmë sjelljen e tyre, e cila bën të njohur dredhitë që ata përdorin për t'u siguruar për rëndësinë e tyre. P.sh., nëse shohim dikë që është arrogant, mund të hamendësojmë se ai mendon: "Ka të ngjarë që njerëzit e tjerë të mos më vënë re fare. Unë duhet t'u tregoj që jam dikushi ". Nëse shohim dikë që bën gjeste të fuqishme kur flet, mund të marrim me mend se si ndjehet: "Fjalët e mia nuk do të tërheqin vëmendjen nëse nuk i theksoj ato".Pas gjithë tipeve të sjelljes superiore, mund të dyshojmë për një ndjenjë të inferioritetit, e cila kërkon përpjekje shumë të veçanta për ta fshehur. Është sikur një person shqetësohet se është shumë i shkurtër dhe ecën në majë të gishtave që të duket më i gjatë. Shpesh mund ta shohim qartë këtë sjellje, kur dy fëmijë krahasojnë gjatësinë. Njëri, që ka frikë se është më i shkurtër, do të zgjatet në majat e gishtave dhe do të tendoset shumë: ai do të përpiqet të duket më i madh se sa është në të vërtetë. Nëse pyesim një fëmijë të tillë: "Mendon se je shumë i shkurtër?" vështirë të shpresojmë që ai ta pranojë këtë. Prandaj nuk mund të hamendësojmë se një individ me ndjenjë të fuqishme të inferioritetit do të shfaqet si një lloj personi i bindur, i qetë, i përmbajtur e miqësor. Ndjenja e inferioritetit mund të shprehet në njëqind mënyra. Ndoshta këtë mund t'ua ilustroj duke treguar historinë e tre fëmijëve që vizituan për herë të parë kopshtin zoologjik. Kur po qëndronin përpara kafazit të luanit, njëri nga ata u fsheh prapa fustanit të mamasë dhe tha "Dua të shkoj në shtëpi". Fëmija i dytë s'lëvizi nga vendi, por shumë i zbehtë dhe duke u dridhur tha: "Unë jam frikacak". Fëmija i tretë ia nguli sytë luanit me egërsi dhe e pyeti të ëmën: "A ta pështyj?". Që të tre fëmijët, në të vërtetë, u ndjenë të friksuar, por secili shprehu ndjenjat në mënyrën e vet, në harmoni me stilin e vet të jetës. Në një shkallë të sigurt, ne të gjithë provojmë ndjenjat e inferioritetit, kur gjendemi në situata që dëshirojmë t'i përmirësojmë. Nëse kemi kurajon, do të fillojmë të çlirohemi nga këto ndjenja inferioriteti nga i vetmi mjet i drejtpërdrejtë, realist dhe i kënaqshëm-atë të përmirësimit të situatës. Asnjë njeri nuk mund të shfaqë (të mbartë) një ndjenjë inferioriteti për një kohë të gjatë; ato do të kalojnë në një gjendje stresi  që kërkon disa lloje të veprimit. Por le të hamendësojmë një individ të dekurajuar; ai nuk mund ta imagjinojë se, nëse bën përpjekje reale, do të përmirësojë situatën e tij. Të tillë individë do të jenë të paaftë të shfaqin ndjenjat e inferioritetit. Do të vazhdojnë të përpiqen për të shpëtuar nga këto ndjenja. Por metodat që ndjekin, nuk do t'i çojnë gjëkundi. Qëllimi i tyre akoma është "për të qenë superior ndaj vështirësive", por në vend të mposhtjes së pengesave, ata do të përpiqen të binden, madje të detyrohen për t'u ndjerë superiorë. Ndërkohë, ndjenja e tyre e inferioritetit do të intensifikohet, sepse situata që e prodhon atë, mbetet e pandryshuar. Që kur shkaku kryesor vazhdon të ekzistojë, çdo hap që ata bëjnë, do t'i çojë më tej në zhgënjim dhe të gjitha problemet e tyre do t'u imponohen edhe më me urgjencë. Nëse shohim veprimet e tyre pa i kuptuar ato, do t'i mendojmë si të paqëllimta. Nuk do të na bëjnë përshtypje, me synimin që të përmirësojmë situatën. Megjithatë, duket qartë se ata janë duke u përpjekur si gjithë të tjerët për t'u përshtatur, por kanë humbur shpresën për çdo ndryshim të situatës, gjithçka që mund të bëjnë fillon të ketë kuptim. Nëse ndjehen të dobët, krijojnë situata ku mund të ndjehen të fortë. Ata nuk përgatiten që të jenë më të fuqishëm,  më të përshtatshëm. Në vend të kësaj, përgatiten për t'u dukur më të fuqishëm në sytë e të tjerëve. Përpjekja për të mashtruar veten, do të jetë vetëm një sukse
s i pjesshëm. Nëse ndjehen të pabarabartë në problemet e tyre në punë, mund të përpiqen të sigurohen për rëndësinë e tyre duke u treguar të dhunshëm në shtëpi. Megjithatë, sa më shumë mashtrojnë veten në këtë mënyrë, ndjenja e tyre reale e inferioritetit do të mbetet, ajo do të jetë po ajo ndjenjë e vjetër e provokuar nga të njëjtat situata të vjetra. Ato do të formojnë rrjedhën e qëndrueshme të formimit psikologjik të individit. Në të tilla raste mund të flasim vërtet për një kompleks inferioriteti.
Tani është koha të japim një përcaktim të saktë të kompleksit të inferioritetit. Kompleksi i inferioritetit shfaqet ndaj një problemi, për të cilin individët nuk janë të përshtatur ose të pajisur në mënyrën e duhur dhe nxjerr në pah bindjen e tyre se janë të paaftë për ta zgjidhur atë. Nga ky përcaktim mund të shohim se inati mund të jetë një shprehje e kompleksit të inferioritetit, po aq sa edhe të qarët apo fajësimi. Ashtu siç ndjenja e inferioriteti prodhon gjithmonë stres, po ashtu do të ketë një lëvizje kompensuese në drejtim të ndjenjës së superioritetit, por kjo nuk do të jetë e drejtuar ndaj zgjidhjes së problemit. Lëvizja në drejtim të superioritetit do të jetë kështu lëvizja në drejtim të anës më të padobishme të jetës. Problemi i vërtetë do të lihet mënjanë. Individët do përpiqen të kufizojnë fushën e tyre të veprimit dhe do të jenë më të interesuar në shmangien e disfatës se sa në nxitjen në drejtim të suksesit. Ata do të krijojnë përshtypjen e ngurrimit, të heshtjes ose të tërheqjes përballë vështirësive. Një qëndrim i tillë mund të jetë parë shumë qartë në rastet e agarofobisë. Kjo simptomë është një shprehje e bindjes: "Unë nuk duhet të shkoj shumë larg. Duhet të qëndroj sa më afër familjes. Jeta është e mbushur plot rreziqe, prandaj duhet t'i shmang ato". Aty ku ky qëndrim është konsekuent, individi do të mbyllet në dhomë ose do të qëndrojë në shtrat.Shprehja më e plotë e tërheqjes përballë vështirësive është vetëvrasja. Atëherë, në përballjen me të gjitha problemet e jetës, individët heqin dorë dhe shprehin bindjen se nuk ka asgjë që mund të përmirësojë gjërat. Përpjekja për superioritet, që është e pranishme në rastet e vetëvrasjes, mund të kuptohet vetëm kur të kuptojmë që vetëvrasja është gjithmonë një qortim ose një hakmarrje. Viktimat vetëvrasëse gjithmonë fajësojnë dikë për vdekjen e tyre. Duket sikur ato thonë: "Unë isha njeriu më i lëndueshëm, më i ndjeshëm në botë dhe ju më trajtuat me shumë brutalitet".  Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë njerëzit neurotikë e kufizojnë fushën e tyre të veprimit dhe kontaktet me botën. Ata përpiqen të mbajnë një distancë (three real), duke iu larguar problemeve të jetës dhe t'u përmbahen situatave, në të cilat ndjehen të aftë të mbizotërojnë. Në këtë mënyrë, ata ndërtojnë vetë një qeli të ngushtë, mbyllin derën dhe e kalojnë jetën, duke u mbrojtur nga forcat e natyrës. Nëse mbizotërojnë nëpërmjet imponimit apo nëpërmjet rënkimit, kjo do të varet nga edukimi i tyre: ata do të zgjedhin mjetin më efektiv për qëllimet e tyre. Shpesh, nëse janë të pakënaqur me një metodë, do të provojnë të tjera. Në të dy rastet, qëllimi është i njëjtë-të fitojnë një ndjenjë të superioritetit pa punuar për të përmirësuar situatën. Kështu p.sh., fëmijët e dekurajuar që mendojnë se mund të fitojnë nëpërmjet lotëve, do të mbeten qaramanë. Një qaraman, kur të rritet, bëhet një tip melankolik. Lotët dhe të qarat-që unë i quaj 'fuqia e ujit'-mund të jenë një armë jashtëzakonisht efektive për të përçarë bashkëveprimin dhe për të nënshtruar njerëzit. Tek qaramanët, ashtu si dhe tek ata që vuajnë nga ndrojtja, turpi dhe ndjenja e fajit, mund ta vërejmë kompleksin e inferioritetit me lehtësi. Këta njerëz me lehtësi pranojnë dobësinë dhe paaftësinë e tyre për t'u kujdesur për veten. Ajo çka do të pëlqenin të fshihnin, është qëllimi obsesiv i supremacisë (epërsisë së plotë), dëshira e tyre për të qenë të parët me çdo kusht. Nga ana tjetër, fëmijët mburravecë që në pamje të parë shfaqin kompleksin e superioritetit. Megjithatë, nëse i ekzaminojmë sjelljet e tyre më shumë se fjalët, shumë shpejt do të zbulojmë tek ata ndjenjat e papranuara të inferioritetit.I ashtuquajturi kompleks i Edipit, në të vërtetë, nuk është asgjë më shumë se një shembull i veçantë i "qelisë së ngushtë" të njeriut neurotik. Nëse individët frikësohen tek ndeshen me problemin e dashurisë në botën e madhe, nuk do të kenë shpëtim nga neurozat. Nëse mbyllen në rrethin familjar, nuk do të jetë çudi që të vëmë re se seksualiteti i tyre është i shprehur brenda këtyre kufizimeve. Për shkak të ndjenjës së pasigurisë, ata kurrë nuk do të vështrojnë përtej atyre pak njerëzve, me të cilët janë mësuar. Ata frikësohen që nuk mund të jenë të aftë të mbizotërojnë mbi njerëzit e tjerë, siç janë të mësuar të mbizotërojnë në rrethin e tyre familjar. Viktima të kompleksit të Edipit janë fëmijët, të cilët janë të llastuar nga prindërit, që janë edukuar të besojnë se çdo dëshirë e tyre është ligj dhe që nuk kanë kuptuar kurrë se mund të fitojnë dashuri nëpërmjet përpjekjeve të pavarura të tyre jashtë kufijve të shtëpisë. Kur rriten, këta njerëz qëndrojnë të lidhur me prindërit. Në dashuri nuk k&eum
l;rkojnë një partner të barabartë, por një shërbëtor; dhe shërbëtori, me mbështetjen e të cilit ata janë më të sigurt, është prindi i tyre. Ne mund të shkaktojmë një kompleks Edipi tek ndonjë fëmijë. Ajo, që nevojitet, është që nëna ta llastojë atë dhe ta ndalojë që të interesohet për njerëzit e tjerë dhe që babai të jetë mospërfillës ose i ftohtë.
Të gjitha simtomat e neurozave japin një pamje të lëvizjes së kufizuar. Në të folurën belbëzuese mund të shohim një qëndrim ngurrues. Interesi i tepruar shoqëror i udhëheq personat që belbëzojnë, që të krijojnë lidhje me njerëzit e tjerë, por vetërespekti i ulët i tyre dhe frika e dështimit provojnë konfliktin me interesin shoqëror, kështu që ata ngurrojnë të flasin. Fëmijët që janë 'të prapambetur' në shkollë, burra ose gra që në moshën 30-vjeç ose më shumë ende nuk kanë një punë, njerëz të cilët i shmangen problemit të martesës, neurotikët me fiksime që vazhdimisht përsërisin të njëjtat veprime, njerëz që vuajnë nga pagjumësia, që janë gjithmonë shumë të rraskapitur për të përmbushur detyrat e ditës-tek të gjitha këto bëhet i njohur një kompleks inferioriteti që i pengon ata të bëjnë përpara në zgjidhjen e problemeve te jetës. Njerëzit, seksualiteti i të cilëvë karakterizohet nga masturbimi, ejakulacioni i parakoshëm, impotenca dhe shmangiet seksuale, që të gjitha tregojnë një trajtim të dështuar për jetën, shkakuar nga një ndjenjë e pamjaftueshmërisë në trajtimin ndaj seksit tjetër. Qëllimi pasues i supremacisë do të sugjerojë nëse ne pyesim 'pse ndjenja të tilla të pamjaftueshmërisë'? Përgjigjja e vetme mund të jetë: 'sepse personi e ka vendosur veten në një qëllim ambicioz të pamundur'.Kemi thënë që ndjenjat e inferioritetit, në vetvete, nuk janë jonormale. Ato janë shkaqe të të gjitha përmirësimeve të kushteve njerëzore. Kështu p.sh., progresi shkencor është i mundur vetëm kur njerëzit janë të vetëdijshëm për paditurinë e tyre dhe për nevojën e tyre për t'u përgatitur për të ardhmen; është rezultat i përpjekjeve të qënieve njerëzore për të përmirësuar grupin e tyre, të mësojnë më shumë rreth universit dhe të bëhen më të aftë që të merren me të. Në të vërtetë, duket se e gjithë kultura njerëzore bazohet në ndjenjat e inferioritetit. Nëse mund të imagjinojmë vrojtuesit e painteresuar që vështrojnë planetin tonë, sigurisht do të arrijmë në përfundimin: 'këto qenie njerëzore, me të gjitha shoqëritë dhe institucionet e tyre, me gjithë përpjekjen e tyre për siguri, me çatitë për t'u mbrojtur nga shiu, me rrobat për t'i mbajtur ngrohtë, me rrugët e shtruara që e bëjnë udhëtimin më të lehtë-në mënyrë të dukshme ndjenë se janë krijesat më të dobëta në tokë'. Ne nuk kemi fuqinë e luanit ose të gorillës, si dhe shumë kafshë janë të pajisura më mirë se ne për të përballuar vështirësitë e jetës të vetme. Disa kafshë kompensojnë dobësinë e tyre nëpërmjet shoqërimit-bashkohen në kope-por njerëzit kanë nevojë për bashkëveprim më të ndryshëm dhe më themelor se ç'mund të gjejnë diku tjetër në botën e natyrës.Fëmijët janë veçanërisht të dobët; ata kanë nevojë për kujdes dhe mbrojtje për një kohë të gjatë. Që kur të gjitha qeniet njerëzore kanë qenë në të njëjtën kohë krijesat më të reja dhe më të dobëta dhe që kur njerëzimi pa bashkëveprim do të jetë plotësisht në mëshirën e mjedisit të tij, mund të kuptojmë se si fëmijët që nuk janë përgatitur për bashkëveprim do të udhëhiqen drejt pesimizmit dhe një kompleksi të inferioritetit të vazhdueshëm. Gjithashtu, mund të kuptojmë se jeta do të vazhdojë të parashtrojë probleme njëlloj edhe për shumicën e individëve bashkëveprues. Asnjë individ nuk do të gjendet ndonjëherë në pozicionin e të pasurit të realizuar të qëllimit përfundimtar të superioritetit, të të qenit plotësisht drejtues të mjedisit të tyre. Jeta është shumë e shkurtër, trupi ynë është shumë i dobët, tre problemet e jetës do të kërkojnë gjithmonë zgjidhje më të pasura dhe më të plota. Gjithmonë, mund të gjejmë një zgjidhje të përkohshme, por kurrë nuk mund të ndjehemi plotësisht të kënaqur nga arritjet tona. Në çdo rast, përpjekja do të vazhdojë; por në rastin e bashkëveprimit, individi do të jetë plot shpresë, një përpjekje e dobishme, e drejtuar kah përmirësimi i vërtetë i gjendjes sonë të zakonshme. Askush nuk do të mërzitet, mendoj, rreth faktit se kurrë nuk mund të arrijmë qëllimin tonë përfundimtar. Le të imagjinojmë një individ të vetëm ose njerëzimin si të tërë, që ka arritur një gjendje ku nuk ka më vështirësi të mëtejshme. E sigurisht, jeta në këto rrethana do të jetë shumë e topitur (pa gjallëri); çdo gjë mund të jetë e parashikuar, çdo gjë e llogaritur para kohe. E nesërmja nuk do të sjellë asnjë të papritur dhe nuk do të ketë asgjë për të parashikuar në drejtim të së ardhmes. Interesi ynë për jetën vjen kryesisht nga pasiguria jonë. Nëse të gjithë jemi të sigurt rreth çdo gjëje, nëse njohim gjithçka që është për t'u njohur, atëherë nuk do të ketë më zbulime ose diskutime. Shkenca do të shkojë drejt një fundi; universi përreth nesh nuk do të jetë asgjë, por një gënjeshtër (tregim dy herë i rrëfyer). Arti dhe feja, të cilët synojnë të na pajisin me një ideal, nuk do të kenë ndonjë kuptim për shumë kohë. Është fat i mirë që sfidat e jetës janë të pashtershme (pa fund). Përpjekja njer&
euml;zore nuk është kurrë e përfunduar dhe mund të gjejmë gjithmonë ose të sajojmë probleme të reja dhe të krijojmë mundësi të reja për bashkëveprim dhe kontribut.
Por zhvillimi i njerëzve neurotikë që në fillim është i bllokuar. Zgjedhjet e tyre për problemet e jetës mbeten në nivelin sipërfaqësor dhe vështirësitë e tyre vetjake janë përkatësisht të mëdha. Individët më normalë mendojnë (sajojnë, shpikin) zgjidhje gjithnjë e më shumë kuptimplote për problemet e tyre; ata mund të vënë përpara vështirësitë e reja dhe të arrijnë në zgjidhje të reja. Në këtë mënyrë, bëhen të aftë për të kontribuar për shoqërinë. Ata nuk mbeten prapa dhe nuk bëhen pengesë (barrë) për brezat e rinj; nuk kanë nevoja ose kërkesa të veçanta. Në vend të kësaj, ata zhvillohen (lëvizin) me kurajo dhe pavarësi për të zgjidhur problemet në përputhje me ndjenjat e tyre shoqërore njësoj si me nevojat e tyre.


 

marrë nga tiranapress

Të tjera

Martin Heidegger: Kush është Zarathustra i Nietzsches

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *