Zbulimi është bërë nga një studim italian
Ankth, frikë dhe kriza të papritura paniku: çelësi i këtyre gjendjeve mendore të ankthshme që trishton shumë persona qëndron te një hormon i quajtur Aldosteron. Zbulimi është bërë nga një grup kërkuesish italianë, të cilët studiuan një grup pacientësh që vuanin nga një sëmundje, e cila karakterizohej nga prania e tepërt e kësaj substance.
Nicoletta Sonino e Universitetit të Padovas ka shpjeguar se zbulimi, i cili është publikuar në revistën "Psychotherapy and Psychosomatics", mund të çojë në një përmirësim të mekanizmave biologjikë, ku bazohen këto shqetësime të humorit me pasoja të rëndësishme për cilësinë e jetesës tek ata që vuajnë. Ankthi i tepërt, krizat e papritura të panikut, krizat e frikës së pajustifikuar mund ta bëjnë shumë të vështirë jetën e personave dhe të krijojnë vështirësi të mëdha në administrimin e situatave normale në jetën e përditshme. Ekzistenca e një lidhjeje mes ankthit dhe familjes së hormoneve Kortikosteroidë, së cilës i përket si hormoni i stresit (Kortizoli), edhe vetë Aldosteroni, ishte vënë re nga shkencëtarët përmes eksperimenteve të kryera me kafshët në laborator. Në veçanti, Aldosteroni prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore dhe luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e presionit të gjakut. Në studimin pilot të kryer me pacientë që prodhonin Aldosterionë më tepër nga ç'duhej, Nicoletta Sonino zbuloi lidhjen mes molekulës dhe shqetësimeve si ankthi dhe paniku. Gjithashtu, shkencëtarët italianë përdorën edhe disa teste që përdoreshin në psikiatri për shqetësimet e humorit dhe u pa se këta pacientë, që prodhonin Aldosteronë më shumë nga ç'duhej, vuanin nga shqetësimet e humorit. Rezultatet nuk lanë asnjë hije dyshimi: subjektet që u analizuan, vuanin nga ankthi shumë herë më tepër sesa popullsia në përgjithësi dhe në shumë raste u vunë re çrregullime të rënda të humorit, demoralizim dhe pesimizëm. Megjithëse përfundimet duhet akoma të konfirmohen, sipas Soninit, nga të dhënat e para rezulton se Aldosteroni është hormoni kryesor që shkakton ankth dhe frikë.
_______________
marrë nga gazeta shqip