Qendra Mjekësore e Universitetit Duke është duke u mësuar pacientëve me zemër si të mbajnë nën kontroll stresin. Ata kanë zbuluar se këto metoda japin të njëjtin rezultat pozitiv si ushtrimet fizike për të ulur rrezikun e problemeve të zemrës.
80-vjeçari Joseph Mazzetta bën kontrolle të shpeshta tek kardiologu pasi 7 vjet më parë zemra nuk furnizohej me oksigjen të mjaftueshëm. Tani ai ndjehet shumë më mirë. Ai është një ndër 134 pacientët që morën pjesë në një studim të Qendrës Mjeksore të universitetit Duke.
Studiuesit i ndanë pacientët në tre grupe- disa iu nënshtruan ushtrimeve fizike, ndër të cilët përfshihej edhe zoti Mazzetta. Një tjetër grup filloi të mësonte metadat e kontrollit të stresit, ndërsa grupi tjetër u mjekua me kujdes të rregullt shëndetësor. Rezultatet e studimit u botuan në Revistën e Shoqatës Mjeksore Amerikane.
Autori i studimit ishte Dr. James Blumenthal: “Pacientët që mësuan metadat për kontrollin e stresit ose bënë ushtrime fizike, arritën përmirësime të ndjeshme në nivelin e problemeve psikologjike, dhe jo vetëm kaq, por arritën edhe përmirësime fizike”.
Kur pacientët kishin stres mendor, ushtrimet fizike dhe metodat për kontrollin e stresit kishin të njëjtin rezultat në uljen e ishemisë, e cila haset kur arteriet e ngushtuara pengojnë ushqimin e zemrës me gjak. Por ata që mësuan metodat e kontrollit të stresit panë edhe rezultate të tjera pozitive, pasi arritën në përmirësim të gjendjes së arterieve dhe të tensionit të gjakut: “Ne u mësuam atyre se ç’ishte stresi, si ta dallojnë si dhe strategjitë për të ulur nivelin e stresit.”
Dr. Blumenthal thotë se është e nevojshme që më shumë mjekë të rekomandojnë metoda për kontrollin e stresit për pacientët me probleme kardiake. “Shumë prej tyre mund të mendojnë se ilaçet mjaftojnë. Mendoj se rezultatet e këtij studimi tregojnë se ushtrimet dhe kontrolli i stresit i rrisin rezultatet e mjekimit të pacientëve.” Joseph Mazzetta pi tre herë në ditë ilaçe për zemrën, dhe vazhdon ushtrimet që mësoi gjatë studimit. “E bëj sepse dua ta zgjas jetën time qoftë edhe me një ditë më shumë.”
Zoti Mazzetta nuk ishte përfshirë në grupin që mësonte metadat për uljen e stresit, por thotë se me fizkulturë të rregullt ka arritur ta mbajë stresin nën kontroll.
___________
marrë nga voice of america