Ballina / Aktualitet / News / Lidhja mes pubertetit të hershëm dhe mbipeshës tek vajzat

Lidhja mes pubertetit të hershëm dhe mbipeshës tek vajzat

Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se ekziston një lidhje mes pubertetit të hershëm dhe mbipeshës tek vajzat në moshën e fëmjërisë. Në vazhdim do t’ju njohim me përfundimet e një studimi, ku morën pjesë 350 vajza që nga vitet e para të fëmijërisë, e deri në periudhën e adoleshencës.

Shkencëtarët kanë vënë re se shumë vajza e fillojnë tani periudhën e pubertetit shumë më shpejt se 30 vjet më parë. Në të njëjtën kohë, ritmet e mbipeshës tek fëmijët amerikanë vazhdojnë të jenë në rritje. Prandaj, studjuesit kanë arritur në përfundimin se rritja e peshës tek vajzat mund të kontribuojë në fillimin më herët të pubertetit. Kjo periudhë tek vajzat shoqërohet me një sërë ndryshimesh fiziologjike e psikologjike.

Doktoresha Xhois Li, profesore e pediatrisë në Universitetin e Miçiganit, analizoi të dhënat e studimeve qeveritare, që i kanë vëzhguar vajzat që nga vitet e para të fëmijërisë, deri në adoleshencë. Doktoresha Li dhe kolegët e saj studiuan indeksin e masës trupore të 350 vajzave që nga mosha 3 vjeçare. Indeksi ka të bëjë me masën e dhjamit në përpjestim me peshën dhe gjatësinë.

"Ne arritëm në përfundimin se vajzat që kishin indeksin e masës trupore më të madhe në moshë 3 vjeçe, kishin më tepër prirje për pubertet të hershëm."

Doktoresha Li thotë se studimi të bën të besosh se pesha e madhe në vitet e vegjëlisë, ndikon në fillimin më shpejt të periudhës së pubertetit tek vajzat. Megjithatë, shton ajo, nuk është e qartë ende në se moslejimi i shtimit në peshë i vajzave në moshë të vogël do ta vononte pubertetin. Por doktoresha thotë se vonimi i pubertetit tek vajzat do të ishte diçka e mirë, sepse fillimi para kohe i kësaj periudhe ka efekte psikologjike dhe shëndetësore afatgjatë tek vajzat.

"Nga studime të mëparshme e dimë se fillimi para kohe i pubertetit mund të shoqërohet me shtimin e problemeve të sjelljes tek vajzat dhe me vështirësi psikologjike, me fillimin para kohe të përdorimit të alkoholit, dhe të marrëdhënieve seksuale, si dhe me shtimin e mbipeshës në moshë madhore dhe të kancerit të gjirit."

Doktoresha Lee thotë se është mirë të merren masa për moslejimin e mbipeshës tek vajzat, sepse kjo mund të shkaktojë diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin e lartë që në vitet e fëmijërisë.

 

_____________

marrë nga voice of america

Të tjera

Dashuria kuron sëmundjet

thuhet në një studim të kohës së fundit. Disa psikologë amerikanë në Pensilvani kanë zbuluar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *